Subvencionim i qirasë për të prekurit nga tërmeti deri në ndërtimin e banesës së tyre të re

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Qeveria do të subvencionojë qiranë e banorëve të dëmtuar nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit 2019 deri në momentin e ndërtimit të banesës së tyre të re.

Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli deklaroi sot se asnjë qytetar i dëmtuar nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë në 26 nëntorin e vitit 2019 nuk do të mbetet pa iu rimbursuar shuma e parave që paguajnë për t’u strehuar, deri në momentin e kalimit në shtëpinë e tyre të ndërtuar.

“Ne si anëtar komisioni kemi të drejtën që të kërkojmë më shumë shpenzime për mbulimin e pandemisë dhe qeveria ka plotësuar në maksimumin e mundshëm këtë shërbim ndaj qytetarëve, por kjo nuk do të na bëjë t’u provojmë atyre që pësuan një dëm kaq të madh nga tërmeti i 26 nëntorit për të mos vijuar me financimin e subvencionimin e qirasë”, tha Angjeli.

Nga ana tjetër deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti vlerësoi procesin e rindërtimit. Sipas saj, banesat janë duke u rindërtuar me standardet më të mira.

“Afati i përcaktuar për përfundimin e procesit të rindërtimit ishte pranvera e vitit 2022. Procesi po vijon me ritme të larta pavarësisht se pati gjatë 6-mujorit të parë të vitit të shkuar një ngadalësim. Gati 98 % e banorëve të prekur janë në banesa me qira. Janë 1 mijë familje në banesat e tyre të reja sipas standardeve më të mira. Janë 1599 banesa të nisura nga 4500 banesa individuale që parashikohen të ndërtohen gjithsej. Kemi një numër shumë të kufizuar të atyre që jetojnë në kushte jo të mira kryesisht në zonat rurale për shkak se nuk kanë dashur të largohen nga prona e tyre”, deklaroi Gjylameti.

Ajo informoi po ashtu se qeveria i ka hapur rrugë përshpejtimit të procesit duke miratuar vendimin për dhënien e fondit direkt banorëve që duan të ndërtojnë vetë banesën e tyre, ndërsa njësitë administrative do t’i mbështesin ata me projektin dhe infrastrukturën.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në tërësi Aktin Normativ “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.