Rihapja e hetimeve për 21 Janarin/ Çuçi: Plumbi në trupin e Aleks Nikës, provë e paezauruar

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha sot në lidhje me kërkesën e policisë për rihapjen e hetimeve lidhur me ngjarjen e 21 Janarit 2011, se “plumbi në trupin e Aleks Nikës, është një provë e paezauruar”.

Gjatë një interviste televizive, ministri tha se, “policia e shtetit është e bindur se me këto prova që ka në dorë që mund të rihapet çështja penale për vrasjen e 4 qytetarëve”.

“Përveç rrethanave është një provë që nuk është ezauruar asnjëherë gjatë hetimit të kësaj çështjeje që është plumbi që ka goditur dhe ka mbetur në trupin e Aleks Nikës. Kjo është një provë e paezauruar për shkak të zhvillimit të teknologjisë. Para dhjetë viteve ka qenë e pamundur që ekspertët t’i përgjigjeshin pyetjeve. Tashmë Policia është e bindur që ekspertiza e bën të mundur për shkak edhe të zhvillimit të teknologjisë, t’i përgjigjet pyetjes që ka pasur me këtë plumb”, u shpreh Çuçi.

“Do të zbardhen shumë gjëra nëse do të provohej me ekspertizë shkencore nga ka ardhur e si ka ardhur, dhe mbi të gjitha nga cila armë është qëlluar. Pra kjo e sjell komplet çështjen në një situatë të re të hapur për një hetim më të thellë”, – deklaroi ministri.

“Ky veprim është vullnet për vënien e Drejtësisë”, – theksoi ai.

Duke u ndalur në veprimtarinë e OFL-së, ministri informoi se OFL vitin e kaluar ka shënuar rezultate spektakolare në luftën kundër krimit, ndërkohë që të gjitha strukturat e Policisë kanë treguar forcë goditëse të shtuar ndaj krimit në të gjitha drejtimet.

Sipas tij, Policia është e pavarur, por kthimi i SHÇBA-së në një institucion inteligjence, do të godasë çdo segment të Policisë të përfshirë në krim. “Çdo polic i përfshirë në çdo lloj krimi do të ndëshkohet”, theksoi Çuçi.

Ministri i Brendshëm theksoi se prioritet në punën e tij në këtë periudhë 3-mujore, do të jetë mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 25 prillit, duke nisur me regjistrat e gjendjes civile.

Ministri deklaroi se “Policinë do ta mbajmë aty ku e pranon ligji, dhe për fat Policia në vitet e fundit ka pasur një vlerësim pozitiv nga ndërkombëtarët në drejtim të punës së kryer në situatën e zgjedhjeve”.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është prioritet kryesor, tha ai, ndërsa vuri në dukje se prioritet ka edhe mbylljen e regjistrit kombëtar të banesave që do të jetë pas zgjedhjeve për të mos krijuar konfuzion. “Brenda këtij viti të kemi një regjistër kombëtar të adresave për çdo qytetar ku ai është rezident”, – u shpreh Çuçi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.