Programi “EU4Schools”, mbështetje Shqipërisë për rimëkëmbjen e 58 objekteve shkollore pas dëmeve nga tërmetit

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë në takimin me Komitetin Drejtues të Programit “EU4Schools”.

“Në mbledhjen online të Komitetit Drejtues për programin EU4Schools shpreha falënderimin maksimal për mbështetjen e pakursyer të BE në riparimin, rindërtimin dhe mobilimin e 58 objekteve shkollore në 11 bashki të vendit, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”, u shpreh ministrja Kushi.

“Rimëkëmbja e institucioneve arsimore falë këtij programi që do të zbatohet nga partneri ynë i përhershëm e besnik, UNDP Albania”, theksoi Kushi.

Programi “EU4Schools” do të ndihmojë që Shqipëria të ketë një kthim më të fortë për një numër të lartë shkollash, të cilat do të kenë një infrastrukturë të re, moderne dhe shumë të përshtatshme për nxënësit dhe stafin mësimor.

Ky program siguron laboratorë të rinj, ambiente sportive, palestra cilësore, biblioteka sipas standardeve më të larta europiane “Eurocode 8”, që nënkupton siguri të lartë, efikasitet energjie, mbrojte të shëndetit të njerëzve dhe mjedisit.

Këto objekte përshtaten edhe me situatën e re të krijuar nga COVID-19 duke futur masa të reja për përmirësimin e higjienës në përputhje me standardet e BE. Në shkollat e reja janë futur dhoma mjekësore dhe psikologjike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.