Pritet përkeqësimi i motit në bregdet/ Drejtoria Detare apel subjekteve për sigurimin e mjeteve në port

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Për shkak të përkeqësimit të motit në tri ditët në vijim, Drejtoria e Përgjithshme Detare u kërkoi të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje të gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.

“Duke filluar nga mesnata e ditës së sotme deri në mesnatën e datës 23 janar, moti do të përkeqësohet. Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug me shpejtësi deri në 30 milje/orë dhe lartësia e dallgës deri në 3 m”, bën të ditur DPD.

Moti i përkeqësuar, sipas DPP, do të shtrihet në gjithë bregdetin tonë.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, thekson DPD.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.