Nikolla: 21 Janari, ditë nderimi për 4 “Dëshmorë të Atdheut” dhe reflektimi për Drejtësinë e re

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla u shpreh se 10 vjet nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit 2011, që shënon një njollë të zezë në demokracinë shqiptare, “jemi në një ditë nderimi për katër viktimat e 21 Janarit, duke i shpalluar “Dëshmorë të Atdheut”, por besoj se është një ditë reflektimi për të parë se çfarë është bërë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në rrugën e vendosjes së standardeve të demokracisë, për sa i përket sjelljes së një qeverie dhe një pushteti”.

Gjatë një interviste në media Nikolla tha se, “edhe unë, si një ish-protestuese, mund të rreshtoj 1000 arsye pse nuk është bërë drejtësi”.

“Drejtësinë nuk e vendos qeveria dhe parlamenti. Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë ka përgatitur të gjithë aktet e nevojshme ligjore dhe rregullatore për një sistem fuksional drejtësie. Një proces që po përparon edhe duke patur ndihmën e partnerëve tanë si SHBA dhe BE, dhe në këtë këndvështim jo vetëm familjarët e 4 viktimave, por edhe shumë të tjerë, kanë shpresë për të thënë që do të ketë një Gjykatë Republike, magjistratë me integritet, që do vijë dita të fillojnë procesin e drejtësisë edhe ndaj njerëzve me pushtet, siç është rasti i 21 Janarit”, – u shpreh Nikolla.

“Ajo që është e rëndësishme është mirënjohja për ata 4 dëshmorë. Sot duhet të ngremë edhe një sistem tjetër reflektimi që lidhjet me sjelljen e qeverisë. E rëndësishme është se memorien historike e kemi të qartë. Jemi të vendosur për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Është e rëndësishme të shikojmë si peshon kandari i vlerave dhe ku është fokusi i punës, siç është Reforma në Drejtësi që të bëjë drejtësi për 21 Janarin”, – tha ajo.

Duke u ndalur në angazhimin e saj në drejtimin e fushatës elektorale në qarkun e Lezhës, Nikolla theksoi se, “jemi derë më derë pranë qytetarit për të komunikuar me ta, jo vetëm për problematikat, por edhe për të folur se çfarë kemi bërë dhe do të bëjmë, por edhe për të dëgjuar momente të cilat nuk kanë shkuar ashtu siç qytetarët do të donin”.

“Struktura e PS-së, është me sinergji, e mirorganizuar si një ekip me struktura funksionale e qartë çdo ditë për planin e saj”, – vijoi Nikolla.

Ajo theksoi se është në kontakt me kryebashkiakët për marrjen e masave nga reshjet e pritshme të shiut këto ditë.

“Kemi ngritur ekipet e emergjencës në Kurbin, Lezhë e Rubik për të informuar qytetarët dhe jemi në gatishmëri me të gjitha strukturat përkatëse dhe infrastrukturën e nevojshme për të përballuar çdo situatë”, – deklaroi Nikolla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.