Mungesa në familjen e Aleks Nikës/ Balla: Drejtësia e re duhet të hetojë urdhëruesit e 21 Janarit

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “drejtësia e re duhet të marrë përgjegjësitë dhe të hetojë urdhëruesit e ngjarjes së 21 janarit”.
“Sali Berisha për 10 vite me radhë rreh gjoksin se ai është urdhëruesi i plumbave mbi popullin protestues. Për të mos harruar! 21 Janar 2011”, tha Balla, ndërsa ndau një kronikë televizive të realizuar me familjarët e Aleks Nikës, i vrarë nga plumbat e gardës në bulevard në 21 janar.

“Kam qejf që ata që e kanë vrarë të dalin vetë para të gjithë botës. Unë ndiej mungesë”, shprehet Mentila Nika, e cila kishte vetëm 1 muaj që kishte lindur kur Aleksit plumbat i morën jetën.

Amelia Nika, e cila në 2011 ishte 2 vjeçe shprehet se “mua babi më mungon shumë”. “Përveçse kam patur mamin, kam hallat, gjyshin gjyshen. Mami i ka bërë të dyja rolet. Edhe mamin edhe babin. I shoh fotot dhe i them mamit sa i mirë ka qenë babi, do të doja të dëgjoja zërin e tij. Shpresoj që së shpejti ta gjejmë atë njeri që e bëri atë krim dhe të dënohet me dënimin që duhet”, thotë ajo.

Sfida e Rajmondës këto 10 vite ka qenë të treguarit gradualisht vajzave atë që ndodhi atë 21 janar të kobshëm.

“Ka qenë shumë e vështirë, së pari për t’i bindur fëmijët dhe me i tregu disi se si ka rrjedhë ngjarja që ato ta kuptojnë më mirë e të rriten të qeta e pa stres pasi gjithmonë bëjnë të njëjtën pyetje dhe kërkojnë përgjigje. Nuk di se si t’ja shpjegoj. Ato janë rritur tani e shikojnë gjërat pak me sy ndryshe, më kuptojnë. Shikojnë fotografitë. Kemi patur mbështetje të madhe nga hallat, prindërit e Aleksit dhe besoj se do ta kalojmë këtë fazë deri atëherë sa të rriten edhe të kuptojnë gjithçka”, thotë ajo.

Mark Nika xhaxhai i Aleksit gjatë këtyre 10 viteve nuk ka reshtur së kërkuari drejtësi.

“Dhjetë vite janë shumë. Ne vuajmë shumë si familje veçanërisht prindërit e tij që janë të vjetër dhe meraku jonë është se ata mund të shkojnë në botën tjetër pa u zbardh e vërteta dhe pa u dënuar fajtorët. Qeveria ka neglizhuar dhe e ka harruar kauzën e 21 Janarit. Nga Gjykata e Tiranës familja ka marrë dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vrasjet. Duam t’i kthejmë paratë. Nuk do të lejojmë që gjaku Aleksit të blehet me para”, thotë Mark Nika. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.