“Liria ka emër”/ Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë lartësohet Ibrahim Rugova

TIRANË, 21 janar/ATSH/ “Sa më shumë kalojnë dhe do të kalojnë vitet, aq më shumë do të lartësohet Ibrahim Rugova në sytë e krejt shqiptarisë”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, përmes rubrikës “Liria ka emër”, ndërsa ndau një foto të Ibrahim Rugovës.

Sot u përkujtua 14-vjetori i ndarjes nga jeta të presidentit të parë të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006).

Ibrahim Rugova është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues.

Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: Çmimi për Paqen i Fondacionit “Paul Litzer”, në Danimarkë (1995); Çmimi për Paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.

Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Famurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.