Fiskalizimi, Denaj nga Fieri: Mbështesim biznesin në shërbime, luftojmë informalitetin dhe evazionin

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Fierit me përfaqësues të enteve publike, u shpreh se biznesi do të mbështetet në shërbime më të përparuara, duke luftuar informalitetin dhe evazionin.

“Fiskalizimi ka nisur me entet publike. Janë shtatë sisteme, të cilat këtë vit do të ndërtohen e japin një mesazh për të gjitha bizneset dhe institucionet që puna e mëparshme e qeverisë Rama, e nisur prej kohësh, ka në thelb këtë vit finalizimin e shumë instrumenteve, të cilat duke u integruar së bashku do të ndërtojnë një produkt për të mbështetur, jo vetëm biznesin në shërbime më avangardë, por duke luftuar informalitetin dhe evazionin. Kjo është një punë e përbashkët e gjithë institucioneve të përfshira”, theksoi Denaj.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe prefekti i Qarkut të Fierit, Baki Bala, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, e cila në fjalën e saj nënvizoi se, në Fier janë të regjistruar 104 ente publike, të cilat 97 prej tyre janë trajnuar për përdorimin e portalit “Self Care”.

“Sot jemi në Fier ku janë të regjistruar 104 ente publike, të cilat 97 prej tyre janë trajnuar për përdorimin e portalit “Self Care”. Ndërkohë, ky është një numër i madh tatimpaguesish, të cilët gjatë vitit të kaluar kanë lëshuar fatura ndaj enteve publike dhe që do të duhet të fiskalizohen prej 1 janarit, të paktën për periudhën tatimore të janarit”, u shpreh Ibrahimaj.

Nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave pjesa më e madhe e tatimpaguesve që hynë në fiskalizim tani mund të përdorin portalin “Self Care”. Gjatë periudhës tetor-nëntor janë trajnuar të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura, që të përdorin portalin dhe të lëshojnë fatura në mënyrë që, mos të kishte problematika në lëshimin e faturave. Gjithashtu, edhe entet janë udhëzuar se si të marrin certifikatën elektronike dhe si të përdorin portalin për pranimin e faturave.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.