Derbi Partizani-Tirana përfundon me rezultatin 1-0

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Partizani fitoi me rezultatin minimal 1-0 në derbin ndaj Tiranës që u luajt të enjten në në “Elbasan Arena”, i vlefshëm për javën e 15-të të Kategorisë Superiore.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa e dyta bëhet emocionuese. Pasi dalin me karton të kuq Bardhi nga Partizani dhe Batha nga Tirana, takimi bëhet interesant.

Në minutën e 83-të, pas një aksioni të gjatë të Partizanit, Eraldo Çinari i rikthyer pas pezullimit, devijon një top në zonë, duke e dërguar në rrjetë, 1-0 për të kuqtë.

Deri në fund rezultati nuk ndryshon më dhe të kuqtë marrin 3 pikët, duke u ngjitur në vend të dytë (me pikë të barabarta me Teutën).

Trajneri Ilir Daja fiton derbin e parë, teksa “Demat e kuq” mbeten me 9 pikë distancë me Vllazninë kryesuese.

Tirana qëndron në vend të pestë me 20 pikë dhe thuajse ka dalë nga lufta për titull, edhe pse ende janë edhe 21 takime për t’u luajtur. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.