“Anima Rara”/ Albumi i sopranos Ermonela Jaho vlerësohet albumi më i mirë i muzikës vokale

TIRANË, 21 janar/ATSH-Bledi Naska/ Sopranoja e njohur në skenën ndërkombëtare, Ermonela Jaho ka fituar çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale nga ICMA, ”Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike”. Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja e cila shprehet tejet e lumtur.

“Jam shumë e lumtur t’ju lajmëroj se albumi “Anima Rara” ka fituar çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale nga ICMA (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike). Dua të falenderoj ICMA për ndërimin dhe gjithashtu të shpreh vleresimin tim ndaj ekipit të Opera Rara dhe kolegëve të mrekullueshëm që bashkëpunuan me mua për të sjellë në jetë këtë muzikë të mrekullueshme. Kemi kuptuar përgjatë kësaj kohe sesa na nevojitet Arti dhe sa e vështirë është që të krijohet”, shprehet Jaho.

Albumi i titulluar “Anima Rara” doli në treg më datë 25 shtator të vitit 2020.

Në këtë album artistja Ermonela Jaho ka përfshirë edhe disa nga ariet dhe pjesë operistike që i dhanë asaj një famë dhe njohje të madhe në skenat e teatrove më prestigjioz në botë si “Madama Butterfly” e Puccini-t, “La Bohmeme” e Leoncavallo-s, “Siberia” e Giordano-s, “Lodoletta” e Mascagni-t dhe “La Traviata” e Verdi-t, e shoqëruar nga “Orquestra de la Comunitat Valenciana”.

Ermonela Jaho ka studiuar për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas ndoqi edhe studimet e larta sërish për kanto në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Tiranë. Më pas ajo fiton për shkak të talentit të saj një bursë studimi në Itali, çka i siguroi artistes edhe mundësinë për të debutuar më pas në skenat e teatrove më të njohura në Itali dhe botë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.