Ambasadorët Kim dhe Soreca, takim me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese: Pavarësi dhe integritet në dhënien e Drejtësisë

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca u takuan sot me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për t’i falenderuar që iu përgjigjën thirrjes së detyrës, e cila i mundësoi Gjykatës kuorumin e nevojshëm për të funksionuar.

Ambasadorja amerikane Kim, nënvizoi detyrimin që gjykatësit të veprojnë me pavarësi dhe integritet në dhënien e drejtësisë, pavarësisht nga institucioni që i emëroi ata në Gjykatë.

Ambasadorja Kim theksoi rolin e rëndësishëm që Gjykata luan për të siguruar kontrollin dhe balancën e institucioneve të Shqipërisë dhe për të siguruar shtetin e së drejtës. Ajo përsëriti se mbështetja e SHBA do të vazhdojë, përfshirë edhe nëpërmjet sigurimit të ndihmës teknike.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë zbatimin e Reformës në Drejtësi, dhe nxisin autoritetet përkatëse të sigurojnë që Gjykata Kushtetuese të ketë trupën e plotë të nëntë gjykatësve në të ardhmen e afërt, në mënyrë që populli i Shqipërisë të ketë drejtësi të vërtetë, në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe aspirante për në BE”, theksoi ambasadorja Kim.

/e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.