“21 Janari ka mbetur i pazbardhur”/ Balla: Rasti i vetëm kur policia nuk zbatoi urdhërarrestet e prokurorisë kur Basha ishte ministër i Brendshëm

TIRANË, 21 janar/ATSH- Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “rihapja e hetimit të ngjarjes së 21 Janarit nuk ka fare lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, por për PS-në është një gur i rëndë, që pa u zbardhur, rëndon mbi moralin tonë dhe të shoqërisë tonë”.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “të gjithë biem dakord që kjo çështje nuk është zbardhur, edhe pse ka një vendim pjesor të turpshëm gjykate të shkallës së parë dhe të Apelit”.

“Janë dy dosje, dosja për Faikun, Ziverin dhe Hekuranin ku dihet se vrasësit janë dy oficerë, komandanti i Gardës dhe një oficer tjetër, dhe dosja për Aleks Nikën, për të cilën prokuroria ka vendosur pezullim në 2020. Drejtësia, së bashku me prokurorinë dhe gjykatat, janë munduar të hyjnë në limitet e afateve për dosjen e parë. Ne e kemi ndjekur me vëmendje këtë çështje, kemi ndjekur edhe seancat gjyqësore dhe i kemi bërë thirrje prokurorisë”, tha Balla.

Balla tha se “prokurorët e gjyqtarët që janë marrë me dosjen e parë, pjesa më e madhe ose kanë dhënë dorëheqjen, ose i ka shkarkuar Vetingu”.

“As unë, as Edi Rama nuk kemi qenë as gjyqtarë dhe as prokurorë. Në një vend si Shqipëria, gjyqtarët e prokurorët prezumohet se janë të pavarur. Jo vetëm për këtë çështje, por për shumë çështje që janë të lidhura me drejtësinë kemi arritur të krijojmë pavarësinë nga politika. Jemi në fillim të këtij procesi. Fatmirësisht dosja e vrasjes së Aleks Nikës nuk është në limite, në rast se kryhen me seriozitet detyrat, përfshirë edhe një riekzaminim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës. Familja ka dyshimet e saj se predha është dëmtuar qëllimisht, pasi është sjellë në Shqipëri nga spitali turk. Ata që kanë dëmtuar predhën janë të lidhur me pushtetin e asaj kohe”, tha ai.

Balla tha se për hetimin e kësaj masakre nuk janë marrë në pyetje persona që kanë urdhëruar. “Komandanti i Gardës mbi vete ka pasur Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Ndrea Prendi ka qëlluar mbi protestuesit pasi ka dalë nga zyra e Sali Berishës”, tha ai.

Balla tha se “është e pamundur t’u rikthehesh ndëshkimit të vrasjeve në dosjen e parë. Kushtetuta nuk lejon rihapjen e procedimit penal për të njëjtën çështje ndaj një personi. Prokuroria donte të kalonin afatet në rastin e dosjes. Ndërkohë afatet janë pezulluar, ndaj nuk kemi të bëjmë me afatet. Duhet të bëhet ripyetja e personave pjesëmarrës, rihetimi i të gjithëve. Jemi të gatshëm të dëshmojmë si kanë rrjedhur ngjarjet, por ato nuk zbardhen po nuk u hetua gjithë zinxhiri”.

Ai kujtoi se “në vitin 2011 kur ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha, ishte rasti i vetëm kur Policia nuk zbaton urdhërarrestet e prokurorisë”. “U fshinë gjithë kamerat e kryeministrisë”, kujtoi Balla.

Po ashtu, Balla theksoi se shpallja “Dëshmor i Atdheut” për 4 viktimat e 21 Janarit nuk mund të bëhej më parë dhe vetëm me ndryshimet në ligjin për “Dëshmorët e Atdheut” para disa muajsh u bë e mundur. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.