21 Janari/ Felaj: Me Reformën në Drejtësi, shpresojmë të hetohet deri në fund

TIRANË, 21 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj deklaroi sot se “Policia e Shtetit ka kërkuar rihetim për 21 Janarin dhe shpresojmë edhe me impaktin që ka dhënë Reforma në Drejtësi, do të bëhet sa më shpejt drejtësi”.

E ftuar në një studio televizive, Felaj tha se “përgjegjësit e ngjarjes së 21 Janarit, janë përgjegjës penalisht dhe ata janë të njohur dhe mbeten edhe sot e kësaj dite. Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë urdhërdhënësit dhe siguruan mbrojtje edhe sot e kësaj dite për përgjegjësit e tjerë”.

E pyetur se pse edhe pas 7 viteve në qeverisje, PS nuk ka arritur të vendosë drejtësi për 21 Janarin, Felaj tha se “ne nuk kemi pretenduar në asnjë moment që me ardhjen në pushtet të zëvendësonim prokurorinë dhe gjykatën”.

“Por ne kemi reflektuar duke u sjellë ndryshe, duke i dhënë qytetarit të drejtën për të protestuar pa frikë. Ne hoqëm murin që rrethonte Kryeministrinë, një gjest i vogël por shumë kuptimplotë. Ne reaguam fort edhe kur bëmë Reformën në Drejtësi. Ngjarja e 21 Janarit është hetuar në mënyrë të mangët. Urdhrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme nuk u zbatuan asokohe, përkundrazi ajo u denigrua. Shumica e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk e kaluan dot Vetingun. Këto janë arsyet pse nuk është bërë drejtësi, që kjo ngjarje të zbardhet, por absolutisht që ne e kemi ndjekur si çështje. Policia e Shtetit ka kërkuar rihetim. Ne shpresojmë më edhe me impaktin që ka dhënë Reforma në Drejtësi do të bëhet sa më shpejt”, tha ajo.

Felaj tha se shpallja “Dëshmorë të Atdheut” për të vrarët ishte simbolika e duhur në këtë 10-vjetor.

Deputetja e Partisë Socialiste foli edhe për fushatën. Ajo thotë se sukseset e arritura kanë bërë që PS të ketë një bazë të fortë për të kërkuar mandatin e tretë.

“Një parti politike e ka për detyrë rinovimin e radhëve të veta. Këtë jemi duke bërë. Ne jemi duke punuar me njerëzit”, tha ajo.

Lidhur me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama ndaj BE-së për vaksinat, Felaj tha se “kur flet për Shqipërinë dhe shqiptarët, Edi Rama nuk ka asnjë inferioritet”.

“Tha të vërtetën dhe ne duhet të ndihemi krenarë. Ne duhet të ndihemi krenarë, sepse kur flet për Shqipërinë dhe shqiptarët, Edi Rama nuk ka asnjë inferioritet. Kam pasur rastin të jem pjesë e disa takimeve të tij edhe si kryetar i PS-së, edhe lider i opozitës dikur, me vende të ndryshme europiane. Gjëja që më ka goditur ka qenë pikërisht kjo, Edi Rama kur kërkon për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk ka asnjë lloj inferioriteti, nuk ka asnjë gjë që e pengon”, tha Felaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.