10 vite nga 21 Janari/ Braçe: Urdhëruesit e pushkatimeve janë të lirë, të pagjykuar dhe të pandëshkuar

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha sot se “urdhëruesit e pushkatimeve janë të lirë, të pahetuar, të pagjykuar, të pandëshkuar; madje madje njerëz të pushtetshëm në politikë, ekonomi, biznes; quhen Sali Berisha e Lulzim Basha”.

Në një reagim në përkujtim të katër personave që u vranë në 21 Janar 2011 gjatë një proteste të Partisë Socialiste, Braçe tha se “pushkatuesit janë të lirë, të hetuar një pjesë, të pahetuar pjesa tjetër, të gjykuar një pjesë, të pagjykuar pjesa tjetër, të pandëshkuar të gjithë”.

“Zhdukësit e provave janë të lirë, të pahetuar, të pagjykuar, të pandëshkuar. Gjyqtarët e këtij krimi janë të larguar të gjithë nga sistemi i drejtësisë! A është drejtësi kjo? Jo. Kush e vrau Aleks Nikën? Vrasja e tij as është hetuar, as është gjykuar e as është ndëshkuar! Po Sokrat Goden e Fatos Mahmutajn, kush i plagosi? As për ta nuk ka autor!” – nënvizoi Braçe.

Zv/kryeministri Braçe u shpreh se “ky është bilanci penal i një pushkatimi. Ndaj hetimi duhet rihapur nga drejtësia e re. Kjo drejtësi nuk fiton besim vetëm duke goditur krimin e rrugës; Kjo drejtësi bëhet e fortë, e drejtë, e barabartë dhe funksionale, duke goditur krimin e politikës, pushtetit”.

“Këtë pushaktim, më i madhi e më i rëndi që nga koha e fashizmit. E di, do nisë tani kënga “kujt i ankohesh, ti je në pushtet”! Nuk dua të përgjigjem me këngën tonë “prokuroria e gjykata janë të pavarura”! Jo! Ky krim nuk i përket as vetëm qeverisë, as vetëm prokurorisë, as vetëm gjykatës! Ky krim i përket gjithë shoqërisë”.

Më tej Braçe shprehet se “presioni për drejtësi duhet të jetë i gjithë shoqërisë; i njëanshëm, vetëm prej socialistëve është i kufizuar, i paragjykuar dhe i pafuqishëm. Shoqëria duhet të mos pajtohet me pushkatimet politike, pa gjyq, por veç me një urdhër politik që mbrohet edhe tani. Hetimi duhet të rinisë këtu tek urdhri, sa kohë që urdhri nuk është hetuar, gjykuar po mbrohet si i drejtë edhe pa 10 vjetësh”.

Sot shënohen dhjetë vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Gjatë protestës së 21 Janarit 2011, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.