Vrojtimi i BSH: Bankat lehtësojnë kushtet e kreditimit për individët

Lehtësimi i kushteve të kreditimit për individët, impakt në rritjen e konsumit dhe të ekonomisë

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Standardet e kreditimit për individët do të vijojnë lehtësimin edhe gjatë 3-mujorit të parë 2021, kryesisht për treguesit e perceptimit të rrezikut nga ana e bankave, mbi: aftësinë paguese të kredimarrësit; rrezikun më të ulët nga kolaterali; si dhe zhvillimet aktuale pozitive të pritura në tregun e banesave.

Banka e Shqipërisë publikoi sot rezultatet e vrojtimit kreditues, për tremujorin e katërt të vitit 2020, ku theksohet se: Bazuar në perceptimet e bankave tregtare, standardet e kreditimit për individët, në termat e përgjithshme u lehtësuan në tremujorin e katërt 2020.

“Për tremujorin e parë të vitit 2021, gjykimet e bankave konvergojnë në lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët. Lehtësim ky më i theksuar në kreditë konsumatore, thekson BSH-ja.

Pritshmëritë e bankave në kushtet e lehtësimit të huadhënies janë, për një rritje të kërkesës për kredi nga ana e individëve në tremujorin e parë, të këtij viti.

Ku pritet të kryesojë  rritja e kredisë konsumatore, si indikator i rëndësishëm që kontribuon në rritjen e ekonomisë së vendit.

Ndryshe nga individët, standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar. Sipas vrojtimit të BSH-së, bankat tregtare shtrënguan kushtet dhe termat e kreditimit për kreditë e reja akorduar bizneseve, në kushtet e vështira ekonomike që krijoi pandemia ku biznesi ishte më i ekspozuar nga kjo situatë.

“Në kushtet e situatës së vështirë nga pandemia, kërkesa për kredi e bizneseve u vlerësua më e ulët në tremujorin e katërt të vitit 2020, ku ndikoi rënia e kërkesës për kredi për financimin e investimeve”- thekson BSH-ja

e.xh/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.