Statistikat/ Nga porta në sulm, analiza e numrave të derbit “Partizani” – “Tirana”

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kjo është java e derbit mes “Tiranës” dhe “Partizanit”.

Në prag të kësaj ndeshjeje të shumëpritur departamenti i Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përgatitur një material me të dhëna statistikore se si prezantohen “Partizani” dhe ‘Tirana”, gjithmonë në aspektin e shifrave deri në këtë javë të 15-të.

FSHF thekson se, numrat e të dy portierëve, Alban Hoxha dhe Visar Bekaj, janë të tilla prej skuadrash në vend të parë në klasifikim. Alban Hoxha i “Partizanit” është portieri që bën më pak pritje në kampionat, 2.09 për ndeshje, i ndjekur nga Visa Bekaj i “Tiranës” që pret 2.49 herë gjatë një ndeshjeje. Bekaj është edhe portieri që ka bërë më shumë dalje në lartësi në këtë kampionat, 2.09 në ndeshje kundër 1.35 që bën Hoxha, i dyti në këtë klasifikim është Zogoviҫ i “Vllaznisë” me 1.66. Numrat e këtyre portierëve, mbi të gjitha pritjet e pakta, tregojnë jo vetëm besueshmërinë e portierëve, por edhe sigurinë e mbrojtjeve respektive.

Pas “Vllaznisë” për numrin e pasimeve të realizuara në një ndeshje (396.3) gjatë këtij kampionati, në renditje vijnë “Tirana” dhe “Partizani”, me 375.2 dhe 363.9. Së bashku me “Kukësin”, “Tirana” është e para në përqindjen e pasimeve të arritura me sukses, 80.3 %, “Partizani” në këtë të dhënë është kuotën e 79.3 %. Të kuqtë janë skuadra që realizojnë më pak pasime të gjata në këtë kampionat, 46.7 për ndeshje me “Tiranën”, që është pak më poshtë se mesatarja e kampionatit me 50.1 për ndeshje, por ndodhet në vend të dytë pas “Laҫit” në raport me pasimet e gjata të kryera me sukses (56.7 % “Tirana” dhe 56.9 % “Laҫi”).

“Tirana” është skuadra që realizon më shumë pasime të cilat përfundojnë në 30 metra e fundit, 56.5 për ndeshje, duke qenë në vend të dytë mbrapa “Teutës” që realizon 60 në ndeshje, por është qartësisht e para për saktësinë e këtyre pasimeve, 70 %. Në këtë renditje të veçantë, “Partizani” është në vendin e tetë në kampionat, me 47.7 pasime për ndeshje. Këtu dalin të dhëna më të thella që krijojnë diferenca: “Tirana” që dërgon shumë topa në 30 metrat e fundit, gjuan shumë pak drejt portës, 9.56. “Partizani” gjuan akoma më pak, 9.3 për ndeshje, por dërgon shumë më pak pasime në 30 metrat e fundit. Por e dhëna që godet më shumë është ajo e saktësisë së gjuajtjeve në portë: “Partizani” është i pari në kampionat, me 44.2 % dhe “Tirana” e fundit me 30.3 %. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.