Rindërtimi në Kamzë dhe Kurbin/ Miratohet përdorimi i fondeve për projektin e ndërhyrjeve rehabilituese

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përdorimin e fondit të rindërtimit prej 10 637 537 lekësh për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese/ përshtatëse të nevojshme për kthimin e strukturës së objekteve që janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore në bashkitë Kamzë dhe Kurbin.

Sipas këtij vendimi, bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 5 495 037 lekë, për financimin e hartimit të projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse, për ndërhyrjet strukturale të nevojshme, për njësitë individuale të banimit, bazuar në rekomandimet e aktekspertizave të thelluara të bëra nga Instituti i Ndërtimit.

Po ashtu, bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 5 142 500 lekë, për financimin e hartimit të projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse, për ndërhyrjet strukturale të nevojshme, për njësitë individuale të banimit, bazuar në rekomandimet e aktekspertizave të thelluara të bëra nga Instituti i Ndërtimit.

Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, dhe i transferohet, në formën e transfertës së pakushtëzuar, bashkive Kamzë dhe Kurbin./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.