TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ekonomia shqiptare pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme, pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4.4 %.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi kuadrin Makroekonomik e Fiskal, për periudhën afatmesme 2022-2024, në të cilin parashikohet një rritje ekonomike prej 5.5 % në vitin 2021 dhe mesatarisht rreth 4.4 % përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2022-2024.
Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4.8 %, 4.5 % dhe 3.9 % respektivisht për vitet 2022, 2023 dhe 2024.
Referuar Kuadrit, gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.
Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport-import) pritet të ketë një efekt pothuajse neutral, marxhinalisht në kahun pozitiv.
Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrje më të lartë.
Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet edhe nga përmirësimi I pritshëm i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar në periudhën afatmesme, pas kapërcimit të efektit negativ nga goditja e pandemisë.
Ndërsa rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga një shfrytëzim më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë.
Njëkohësisht edhe përmirësimi i kushteve financiare dhe lehtësimit të standardeve të huadhënies priten të jenë një faktor i rëndësishëm incentivues i investimeve private në afatin e mesëm. /r.e/