Rikonstruksioni i banesave/ 531.8 milionë lekësh për bashkitë Tiranë e Durrës

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 531 815 000 lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit në bashkitë Tiranë e Durrës.

Bëhet fjalë për banesat të cilat janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.

Sipas këtij vendimi, bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 427 665 000 lekë.

Ndërsa bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 104 150 000 lekë.

Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga pjesa e financuar nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe do t’u kalojë bashkive Tiranë dhe Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë dhe Durrës. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.