Restaurim i Kishës së Shën Marisë, aty ky kryenin shërbesat fetare Gjergj Kastrioti dhe bashkëshortja e tij, Donika

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konservuese – restauruese në “Rrënojat e Kishës së Shën Marisë, në Mamurras, Kurbin”.
Aktualisht ruhen rrënojat e objektit, të cilat janë mjaft të ekspozuara ndaj faktorëve të jashtëm.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve.

IKTK mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kisha e Shë Mërisë ndodhet në Kurbin, në fshatin Shëmri dhe është një kishë abaciale me rëndësi e Arbërisë mesjetare. Sipas të dhënave gojore, aty kryenin shërbesat fetare Gjergj Kastrioti së bashku me bashkëshorten e tij Donikën.

Të gjithë banorët e fshatit Shënmëri janë të besimit islam por kjo nuk i ka penguar ata të përkujdesen për objektin dhe njëkohësisht të nderojnë Shën Mërinë, pajtoren e fshatit me të njëjtin emër, e cila kremtohet me 15 gusht. Kisha e Shën Mërisë është i vetmi monument kishtar në krahinën e Kurbinit që gjatë periudhës se regjimit komunist tërhoqi vëmendjen e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ajo është shpallur Monument Kulture i kategorisë I./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.