Prodhimi ditor nga kaskada e Drinit 27 707 MWH/ KESH: Niveli i liqenit në Vaun e Dejës zbret në 71.5 m

TIRANË 20 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bën të ditur po vijon monitorimin e tre HEC-eve mbi kaskadën e Drinit, ndërsa shërbimet metereologjike kanë paralajmëruar reshje të dendura shiu gjatë fundjavës.

Aktualisht, thekson KESH, janë angazhuar të gjitha kapacitetet gjeneruese, me një prodhim ditor prej 27 707 MWH (në ditë) duke plotësuar të gjithë nevojat për energji elektrike të konsumatorit fundor.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, niveli i liqenit në HEC-n e Fierzës llogaritet 288.74 m nga 296 m niveli maksimumi i lejuar. Në HEC-in e Komanit niveli i liqenit është 170.59 m, nga 176 m niveli maksimumi i lejuar, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës, 71.52 m, nga 76 m niveli maksimum i lejuar.

Bazuar në të dhënat e orëve të fundit të raportit Hidro-Meteorologjik, niveli i shkarkimeve në HEC-in e Fierzës dhe Komanit është ndalur plotësisht, ndërsa në HEC-in e Vau të Dejës, shkarkimet nga 300 m3/sek ditën e djeshme shkuan në 500 m3/s.

KESH bën të ditur se do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje situatën hidroenergjetike të kaskadës dhe do të vijojë të marrë gjithë masat e nevojshme për administrimin e prurjeve dhe ruajtjen e niveleve optimale, duke garantuar sigurinë e plotë të digave dhe shmangien e impaktit social mjedisor në zonat e banuara. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.