Politika fiskale riorientim drejt konsolidimit fiskal/ Borxhi publik pritet të zbresë në 68 %

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Pas një stimuli të lartë, të domosdoshëm dhe njëkohësisht të paevitueshëm gjatë vitit 2020 me qëllim amortizimin e goditjeve negative nga tërmeti dhe sidomos pandemia, politika fiskale për periudhën afatmesme 2022-2024 do të riorientohet sërish drejt konsolidimit fiskal, ndërkohë që siguron një nivel investimesh publike prej mesatarisht rreth 4.8 % të PBB në vit vetëm nga qeveria qendrore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal për periudhën 2022-2024.

“Konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik është thelbësor për uljen e risqeve makroekonomike, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike. Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 2.9 % të PBB-së për 2022, nga 6.5 % i programuar për vitin 2021; nivel prej 2.3 % të PBB në 2023; dhe 2 % në vitin 2024”, thuhet në dokument.

Njëkohësisht, si rrjedhojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme, balanca primare pritet të shënojë vlera lehtësisht negative edhe për vitin 2022, në rreth 0.1 %, ndonëse me përmirësim të fortë nga niveli negativ prej 3.9 % që pritet për 2021, ndërkohë që targetohet në vijimësi rikthimi në vlera pozitive që prej vitit 2023 me 0.6 % dhe 1.1 % në vitin 2024.

Lidhur me balancën primare, i cili është një parametër shumë i rëndësishëm i qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, së fundmi në korrik 2020 u shtua edhe një rregull i ri fiskal në Ligjin organik të Buxhetit në linjë edhe me rekomandimet e KE-së dhe me parimet kryesore të “aquis” të BE-së, i cili bën të detyrueshëm ligjërisht tashmë që duke filluar që prej vitit buxhetor 2023 e në vijim balanca primare faktike nuk mund të rezultojë negative, pra duhet të jetë së paku e balancuar ose pozitive (suficit primar).

Ky target i parametrit të balancës primare buxhetore do të përbëjë tashmë dhe në vijimësi objektivin kryesor operativ të politikës fiskale për të materializuar synimin e një trajektore vijimësisht rënëse të borxhit publik, pra duke synuar konsolidim të vijueshëm fiskal me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike si një fondament kyç i stabilitetit makroekonomik dhe mbarëvajtjes së ekonomisë së vendit.

Më konkretisht, duke marrë të mirëqënia supozimet dhe projeksionet e tjera të këtij Kuadri aktual, respektimi në mënyrë të përvitshme i këtij objektivi (rregulli fiskal) të parametrit të balancës primare, pritet të çojë në një reduktim të nivelit të borxhit publik neto rreth nivelit prej 68 % të PBB-së deri në vitin 2025 nga rreth 78.6 % që pritet të rezultojë në 2021.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.