Peshkimi/ Ekonomi: Prodhimi nga sektori është dyfishuar vitin e fundit

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Peshkimi është një nga sektorët që ka marrë vëmendjen maksimale në politikat e mbështetjes të qeverisë gjatë viteve të fundit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimt Rural, Milva Ekonomi i tha ATSH-së, se “prodhimi nga sektori vendas i peshkimit është dyfishuar. Nga 4 mijë tonë që shënonte ky prodhim në vitin 2013, sasia e prodhimeve të detit të zënë nga peshkatarët është rritur në 8 mijë e 300 tonë në vitin 2019”.

Krahas rritjes së prodhimit është formalizuar edhe numri i peshkatarëve dhe kushtet e peshkimit janë përmirësuar ndjeshëm.

Ekonomi tha se “sot nuk dalin në det anije më të vogla se 12 metra dhe kushtet e sigurisë për peshkim janë rritur”.

Krahas prodhimit janë rritur edhe eksportet e prodhimeve të detit “Made in Albania”.

Në 10-mujorin e vitit 2020, eksportet e peshkut u rritën me 12.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Vendet e BE-së (Italia e Gjermania) vijojnë të jenë destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare të peshkut, ndërkohë që vijon normalisht edhe furnizimi i tregjeve të vendit me peshk e fruta deti.

Politikat lehtësuese në mbështetje të peshkimit i kanë dhënë impuls të ri këtij sektori.

“Rritja e sektorit të peshkimit në Shqipëri është impresionuese dhe aspak e rastësishme, por rezultat i politikave, si dhe dëshmi e pakontestueshme e transformimit të madh që ka pësuar ky sektor”, shprehet Ekonomi.

Sipas saj, peshkatarët prej 7 vitesh e marrin naftën pa taksa, rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja.

Ndërsa investimet në portet kryesore të vendit do të zhvillojnë më tej këtë sektor.

e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.