Përmirësimi i kushteve të vuajtjes së dënimit/ Gjonaj: Mbetet prioritet themelor

TIRANË, 20 janar /ATSH/ “Trajtimi i të burgosurve dhe përmirësimi i kushteve të vuajtjes së dënimit ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më themelore të Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ajo theksoi se, “falë bashkëpunimit me mjaft OJF, përpiqemi çdo ditë të lehtësojmë situatën e vështirësuar nga protokollet e pandemisë ku ndodhet e gjithë bota”.

Gjonaj falënderoi organizatat bashkëpunuese për zbatimin e programeve rehabilituese, këshilluese si dhe mbështetjes psikologjike.

“Instituti për Aktivizim dhe Ndryshim Social (IANS Albania), konsiston në realizimin e programit “Vemendje ndaj të drejtave themelore të të paraburgosurve dhe të dënuarve në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore” OSFA”, nënvizoi Gjonaj.

“Angazhimi i Caritas Shqiptar konsiston në identifikimin, dhe zhvillimin e kapaciteteve të dënuarave dhe minoreneve në paraburgim nëpërmjet aktiviteteve të animacionit, socio-kulturore dhe sportive me qëllim rritjen e mireqeneies psiko-sociale në kushtet ku janë. Nëpërmjet këtij procesi përfituesit shohin veten dhe të tjeret nga nje pikepamje tjeter që çon në reflektim për të zgjidhur problemet”, tha Gjonaj.

“Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID) ka kryer program pilot me kurse të formimit profesional në dy qendra të vuajtjes së dënimit (Fushë-Krujë dhe Vlorë) ku do të realizohen programet PIT (Programi i Individualizuar Trajtimi) dhe MII (Modeli te Individualizuar Intervenimi) për të paraburgosurit”, shtoi Gjonaj.

Sa i përket Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), Gjonaj theksoi se, “puna e tyre ka konsistuar në trajnimin e stafit civil dhe atij policor, mbështetje në hapjen e IEVP të reja, përgatitjen e moduleve dhe manualin e stafit drejtues të burgjeve, hartimin e rregullores së QTB, organizimin e vizitave studimore, etj.”.

“Kontributi i Shoqatës Kristiane të të Burgosurve të Shqipërisë ka konstituar në mbështetje shpirtërore, ndihma për të dënuarit që nuk kanë kontakte me familjarët si dhe pajisje e ambienteve me bazë materiale për zhvillimin e kurseve profesionale (Rrogozhinë, 325, 313, Korçë) si dhe mbështetje ekonomike pas daljes në jetën e lirë (veçanërisht për gratë)”, u shpreh ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj nënvizoi gjithashtu se, “kontributi i Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës (QSHRT)ka konsistuar në trajnimin e stafit civil”, duke shtuar se, “puna e Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare është përqendruar në trajtimin e grave të dënuara (325), me mbështetje shpirtërore si dhe ndihma ekonomike”.

“Qendra Don Bosko Tiranë kryen aktivitet kulturor dhe sportiv me gratë në IEVP “Ali Demi”. Komuniteti Musliman ka mbështetur të dënuarit që kryejnë ritet fetare si nga ana shpirtërore edhe me ndihma gjatë muajit të Ramazanit (IEVP në Tiranë, Peqin). Motrat Nënë Tereza kanë dhënë mbështetje shpirtërore dhe materiale për 325 dhe 302. Kisha Ungjillore, Tiranë ka dhënë mbështetje shpirtërore dhe materiale për IEVP Peqin. Klinika Ligjore për të Mitur ka dhënë mbështetje psikologjike dhe asistencë ligjore për minorenët në konflikt me ligjin në IEVP “Mine Peza“ dhe Vaqarr”.

Gjonaj shtoi se, “Qendra K.R.Nj (Human Correction and Rehabilition), Elbasan ka bashkëpunim prej 2 vitesh me IEVP Peqin. Në marrëveshjen e nënshkruar mes DPB dhe KRNj, kjo qendër merr përsipër mbështetje shpirtërore dhe me  ndihmë ekonomike, mbështetje me vizita me mjekë specialistë sipas fushave si dhe trajnim të stafit të Kujdesit Social dhe atij Shëndetësor”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.