“Paske qenë i zoti për këtë vend”/ I moshuari falenderon Kryeministrin Rama: Na bëre me shtëpi të reja

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Banorë të bashkisë së Vorës të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit falënderuan sot Kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e shtëpive të reja.

Gjatë inspektimit të kryer në Vorë, kreu i qeverisë shkëmbeu biseda të shkurtra me disa prej banorëve, të cilët do të futen në shtëpitë e reja, puna për ndërtimin e të cilave po vijon me ritme të larta.

Një i moshuar e përgëzoi kryeministrin Rama për punën e bërë. “Faleminderit për të gjithë të mirat që janë bërë”, – tha ai.

Kreu i qeverisë u shpreh se “pak nga pak do t’i bëjmë të gjitha”.

Ndërsa një tjetër i moshuar u shpreh se “rrofsh sa malet e Shqipërisë se na bëre me shtëpi të reja. Paske qenë i zoti për këtë vend”.

Duke iu përgjigjur me modesti Kryeministri Rama tha se “sa malet jo, po sa ta kemi kismet. Të përqafoj nga larg”.

Kryeministri Rama premtoi sot nga Vora se familjet e prekura do të rikthehen jo vetëm në apartamente të reja, po edhe në lagje me standarde urbane krejt të ndryshme nga ato që ishin më parë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.