Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, përfaqësi edhe në Shqipëri

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Komisioni për Veprimtarinë, Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet  Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), që i hap rrugë krijimit të një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë.

Sipas relacionit që shoqëron këtë pr/ligj, FAO-ja ka kryer deri aktivitete në vendin tonë, në përputhje me marrëveshjen dhe ka dhënë një kontribut të vlefshëm, i cili do të shtohet dhe në volum e në cilësi, në vijim, me projekte ndihmëse në disa sektorë, siç janë programet në bujqësi, ushqim, dhe asistencë në miratimin e akteve që përafrojnë legjislacionin.

Përfitimet e palës shqiptare nga kjo marrëveshje janë zbatimi i projekteve të financuara, duke u bazuar në Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Shqipëri 2014-2020, 9 (ISARD). Kjo strategji përfaqëson kornizën kryesore strategjike sektoriale për ndërhyrjet operacionale kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u përqendruar në tri fusha kryesore të politikës së zhvillimit rural, skemave kombëtare të mbështetjes dhe zhvillimit institucional dhe zbatimin e kërkesave rregullatore të Bashkimit Europian.

Në 2 vitet e fundit, FAO-ja, bazuar në Country Programme Framework, ka
implementuar dhe është në proces implementimi të projekteve në këto fusha
kryesore: Zhvillimi i aktiviteteve të fermerëve të vegjël dhe rritja e kapaciteteve
institucionale për t’u ardhur në ndihmë fermerëve. Në kuadër të këtij objektivi, FAO-ja ka implementuar dhe vazhdon të implementojë projekte në mbështetje për forcimin e fermerëve të vegjël – buxheti: 260 000 USD; Zhvillimi i kapaciteteve për diversifikimin e të ardhurave për fermerët e vegjël– buxheti: 160 000 USD; Projekti “GREAT” – Gender Rural Equality and Territory, në bashkëpunim me UN Women – buxheti: 1 350 000 USD.

Ndërsa për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, FAO ka zbatuar projektet “Mbështetje për ripërtëritjen ekonomike nga tërmeti i 26 nëntorit 2019”, nëpërmjet SDG Acceleration Fund – buxheti: 500 000 USD. Asistencë teknike për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: – Ndërtimi i kapaciteteve të ministrisë për të asistuar në negociatat teknike me BE në bujqësi dhe zhvillim rural – buxheti: 450 000 USD;  Projekti “Forward” Future Oriented Road Way to Agriculture and Rural Development – buxheti: 350 000 USD; Asistencë në ndërtimin e një “Dritareje unike”, shërbimi për fermerët dhe shërbimi i ekstensionit – buxheti: 50 000 USD.

Për ndryshimet klimaterike në bujqësi, FAO ka adapuar Projektin e menaxhimit të burimeve natyrore në luginën e Vjosës – buxheti: 100 000 USD.

e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.