Meta pret Ambasadorin e Norvegjisë: Të forcojmë marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti në një takim pune ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, rezident në Prishtinë, Jens Erik Grondahl.

Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë në proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe politikën e saj inkurajuese ndaj afrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në planin politik, veçanërisht konkretizimi i tyre i suksesshëm në planin ekonomik, mbeten model dhe nxitje për të shtuar përpjekjet tona në shfrytëzimin e mundësive dypalëshe edhe në fusha të tjera, si bujqësi, turizëm, infrastrukturë, tregti dhe arsim”, nënvizoi Meta.

Ai e falënderoi Ambasadorin e Norvegjisë për ndihmën vyer të vendit të tij për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.