Me 43 vite punë mbi shpatulla/ Pëllumbi aplikon për pension në e-Albania për të shmangur radhët e gjata dhe ecejaket

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Falë investimeve të kryera nga qeveria në teknologji, në ndërtimin e sistemeve të reja që ndërveprojnë me njëra-tjetrën apo në trajnimin e burimeve njerëzore, sot ka ndryshuar rrënjësisht sjellja e shtetit ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Deri në fund të vitit 2020 u arrit që 95 % e shërbimeve të shtetit ndaj qyetarëve apo biznesit të afrohen online. E gjithë kjo punë ka bërë që qytetarët dhe bizneset ta kenë zgjidhjen e parë platformën e-Albania.

Vetëm Instituti i Sigurimeve Shoqërore ofron online 53 shërbime, duke bërë një transformim të madh, po të kemi parasysh që për një dokument duheshin mesatarisht 10 vërtetime nga zyra të tjera.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi sot shembullin e një ish-ushtaraku, i cili aplikoi përmes platformës e-Albania për të përfituar pensionin e tij.

“Me 43 vite punë mbi shpatulla, një pjesë edhe në shërbimin ushtarak, Pëllumbi, aplikoi në portalin https://e-albania.al/ për të përfituar pensionin e tij të pleqërisë, duke shmangur radhët e gjata dhe ecejaket”, tha Denaj.

Ndërkohë kalimi i një pjesë të madhe të kontakteve me shtetin online kurseu çerekmilioni orë në marrëdhëniet biznes-shtet në aspektin e radhëve, pritjeve dhe zvarritjeve. Në 4-vjeçarin e ardhshëm qeveria synon që gjithçka të jetë online për biznesin, duke nisur nga marrëdhënia biznes-qeveri, biznes-biznes dhe biznes-konsumator. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.