“Made in Albania”/ 9.7 % më shumë eksporte bujqësore në vitin 2020

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Shqipëria shënon rritje të eksporteve bujqësore për vitin 2020.
Të dhënat zyrtare raportojnë për një rritje prej 9.7 % në vitin 2020 në raport me vitin 2019.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, vendin e parë e zë eksporti i prodhimeve bujqësore të cilat u rritën me 14.3 % më shumë se 2019. Gjithashtu gjatë vitit 2020 u eksportuan më shumë prodhime peshkimi, rreth 12.8 % më shumë se në vitin 2019.
Në njoftimin e saj MBZHR, bën të ditur se, vendet që shfaqën interes për eksportet shqiptare bujqësore janë Kosova, Serbia, Italia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Greqia të cilët pritën afro 63.5 % të sasisë dhe 53.6 % të vlerës totale të eksporteve bujqësore shqiptare.
Sipas MBZHR-së, produktet e domates zënë peshën më të madhe të eksportit, rreth 20.7 %, më pas renditen prodhimet e pjeprit e shalqinit, kastravecat, zarzavate.
Nga ana tjetër, në raport me 2019, importet bujqësore pësuan rënie në vlerë prej 0.1 %.
Produktet më të importuara për vitin 2020 ishin gruri dhe meslin me një peshë ndaj totalit të importeve prej 20.24 %; duke vijuar me produktet e misrit, ujërave, sheqeri, plehu azotik, birra etj. e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.