Kryemadhi: Ulja e taksave e domosdoshme sot për biznesin

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se “ulja e taksave është e domosdoshme, ndaj ne duhet të ndihmojmë qytetarët me vepra”.

Gjatë një takimi në Vorë, Kryemadhi tha se me 25 prill qytetarët duhet të ndëshkojnë me votë ata që i kanë mashtruar.

“Ne jemi shumë të vendosur në rrugën tonë për të krijuar punësim të mirë paguar për të rinjtë dhe të rejat, uljen e taksave gjë që është e domosdoshme sot për biznesin, në mënyrë të tillë që ti krijosh atij një hapësirë për të funksionuar, sepse sot në kuadrin e gjithë këtyre masave shtrënguese të pandemisë, pasi Shqipëria është një nga vendet me më shumë biznese të mbyllura, ne nuk i kemi krijuar asnjë lloj hapësire biznesit për të mbijetuar”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI u ndal edhe te sektori i bujqësisë, që sipas saj “është totalisht i harrura nga qeveria ndërkohë që njerëzit duan jo vetëm ndihmën ekonomike, por edhe garancinë për shitjen e prodhimeve”.

“Ne flasim për TVSH-në e inputeve që u bë me tam-tam-e të mëdha që ne do të rimbursojmë ose do të heqim TVSH-në për inputet, kur në fakt çmimet tek inputet janë po aty dhe vazhdojnë dhe paguhen akoma më shtrenjtë”, tha ajo.

Kryemadhi tha se “ne kemi qenë në një shkollë, e cila jo vetëm është shkatërruar dhe rrënuar, por ka vetëm dy grumbuj me zhavorr dhe edhe pse paratë ua dhënë firmave fituese, përsëri nuk kemi asnjë tentativë për të filluar ndërtimin e saj”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.