Kryemadhi: Njerëzit nuk kanë nevojë për fasadë, por për vëmendjen e shtetit

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorët e Farkës ku u shpreh se, “sot njerëzit kanë nevojë për vëmendjen e shtetit. Njerëzit sot nuk kanë nevojë për fasadë. Njerëzit kanë nevojë për bukën e përditshme në familjet e tyre, gjë që është e domosdoshme për të gjithë”.

“Tirana është një metropol dhe përfshin të gjitha llojet e profesioneve dhe të gjithë angazhimin e njerëzve, ashtu sikurse edhe komuna e Farkës me gjithë rrethinat e saj. Njerëzit kanë nevojë për vëmendje, për infrastrukturën, kanë nevojë për shërbime, sepse në fund të ditës të gjithë paguajnë taksa. Edhe pse je në njësi administrative, taksën e paguan si të jesh në mes të Tiranës”, tha Kryemadhi.

“Politika agresive na ka bërë edhe të distancuar duke folur për politika të mëdha dhe asnjëherë nuk jemi përqendruar tek politikat e vogla. Çdo e keqe e ka një të mirë, pandemia vërtetë nuk na lejon për të bërë tubime të mëdha, por pandemia na ka krijuar mundësinë për të kontaktuar me njerëzit, për të biseduar me ta dhe për të mos qenë nga ana e fasadës dhe e propagandës, por për të diskutuar për problematika të mëdha”, u shpreh Kryemadhi.

“Po na ikin të rinjtë nga Shqipëria për shkak të mungesës së punësimit. Dhe ikin për të punuar tokat apo biznese të vendeve të tjera me të njëjtën pagë, të cilën mund të përfitonin këtu, por do të ishin në trojet e tyre, shtëpitë e familjet e tyre”, theksoi Kryemadhi.

Ajo tha se, “shumë shpejt ne do të kemi dhe prezantimin e programit që nuk do të jetë thjesht në kuadrin e një prezantimi propagandistik, por do të jetë i prekshëm, real, për çdo qytetar sepse në fund të ditës një nga gjërat më të rëndësishme është që duhet të jemi dhe të vërtetë me njerëzit”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.