IGJEUM: Sot dhe nesër reshje mesatare shiu, dëborë në lartësitë mbi 300 m mbi nivelin e detit

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) bën të ditur se sot pasdite dhe nesër priten reshje mesatare në qarkun Shkodër, reshje të dobëta por lokalisht mesatare në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas IGJEUM, në veri të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë në formë dëbore në lartësitë 300 mbi nivelin e detit.

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 20) dhe nesër (e enjte, dt. 21) priten reshje mesatare në qarkun Shkodër, reshje të dobëta por lokalisht mesatare në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në veri të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë në formë dëbore në lartësitë 300 mbi nivelin e detit.

Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë dt. 23-26 janar 2021 priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri dhe në jug të territorit.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, liqenin e Shkodrës dhe lumin Vjosa. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël. Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve por nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.