Humb jetën në Afganistan ushtaraku XH.J/ Ministria e Mbrojtjes: Po hetohet për rrethanat e ngjarjes

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ushtaraku Xh.J i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka humbur jetën në orën 22:40, ora lokale në Afganistan.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se “autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja”.

Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA sigurojnë personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e t’u gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin.

Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.