Gati 75 % e eksporteve shqiptare shkuan drejt tregjeve europiane gjatë 2020-ës

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së gjatë vitit 2020 zunë 63.1 % të gjithë tregtisë.

Sipas raportit të INSTAT për tregtinë e jashtme në periudhën janar – dhjetor 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74.7 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58 % të importeve gjithsej.

Referuar të dhënave, partnerët kryesorë tregtarë janë Italia më 31.4 % të vëllimit, Greqia me 7.7 % të vëllimit, Gjermania me 7.1 % dhe Turqia me 7 %.

Gjatë vitit 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 272 miliardë lekë, duke u ulur me 9 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 605 miliardë lekë, duke u ulur me 6.8 %, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 333 miliardë lekë, duke u ulur me 4.9 %, krahasuar me vitin 2019. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.