COVID-19 – OBSH: Burimet spitalore të të dy Amerikave drejt fundit

UASHINGTON, 20 janar /ATSH-DPA/ – Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se burimet spitalore në zona të caktuara të Amerikës Veriore dhe asaj Jugore po shkojnë drejt fundit për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me koronavirus.

“Në të gjithë rajonin tonë, veçanërisht në Amerikën e Veriut dhe Jugut, shumë spitale janë duke operuar me kapacitet ose shumë afër kapacitetit të tyre të plotë”, tha Clarissa Etienne, drejtoreshë e Organizatës Shëndetësore PanAmerikane (PAHO).

PAHO është organi rajonal i OBSH-së për Amerikat.

Etienne përmendi orare të zgjatura të personelit mjekësor në njësitë e kujdesit intensiv si edhe mungesën e oksigjenit në disa zona.

“Në javën e fundit kemi parë më shumë se 2,5 milionë raste të reja me COVID-19 në rajonin e Amerikave, thënë ndryshe më shumë se gjysma e të gjithë infeksioneve globale. Në të njëjtën periudhë, 42 000 njerëz nga dy Amerikat kanë humbur jetën nga pandemia”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili dhe Meksika janë disa nga vendet më të prekura në rajon.

“Rajoni ynë dhe bota jonë, po dështojnë të kontrollojnë koronavirusin. Në shumë vende, politikat publike nuk janë në përputhje me ashpërsinë e situatës”, theksoi Etienne./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.