BRUKSEL – BE marrëveshje për një njohje të përbashkët të testeve të shpejta COVID-19

BRUKSEL, 20 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për një njohje të përbashkët të testeve antigjenike, një ditë para samitit europian kushtuar luftës kundër pandemisë, bënë të ditur burime diplomatike.

Një procedurë e shkruar u publikua për të konfirmuar këtë marrëveshje para fillimit të samitit.

Testet antigjenike nuk kërkojnë analiza laboratorike dhe rezultati mund të merret në vend për 10 deri në 30 minuta. Por ato janë më pak të besueshme se testet PCR. 

Komisioni Europian ka kërkuar që prej nëntorit përdorimin e testeve antigjenike të shpejta, përveç testeve PCR, me qëllim për të frenuar përhapjen e virusit, për të zbuluar kontaminimet dhe për të kufizuar masat e izolimit apo karantinës. 

Këto teste të shpejta janë konsideruar si një zgjidhje për udhëtarët e rikthyer nga një vend jashtë BE-së.

Franca kërkoi këtë njohje reciproke të testeve antigjenike.

“Mes Francës dhe Irlandës, testet PCR funksionojnë, sepse ne kemi të njëjtën gjë, por testet antigjenike nuk funksionojnë, sepse Irlanda nuk i njeh ende”, theksoi sekretari francez i Shtetit Clement Beaune .

Komisioni rekomandon përdorimin e tij “në situata specifike”, për të identifikuar menjëherë kontaminimet në një fokus të ri të epidemisë ose për të monitoruar personat me rrezik të lartë, të tillë si personeli mjekësor ose në shtëpitë e pensioneve./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.