Balla në Gramsh: Mandati i tretë i PS do të çojë përpara reforma të rëndësishme që nuk duhet të ndërpriten

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte sot në Gramsh, ku shpreh se, “shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit, përmes ndryshimeve kushtetuese, iu garantua e drejta për të zgjedhur qoftë forcën politike të cilës duan t’i besojnë qeverisjen e vendit, por gjithashtu të japin preferencën e tyre për deputetin që duan në Kuvend”.

“Sot Partia Socialiste është e vetmja forcë e besueshme tek e cila shqiptarët mund të investojnë besimin e tyre. Është fakt i pakundërshtueshëm se listat e mbyllura kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve dhe kufizimin e arsyeshëm të fuqisë së udhëheqjes apo të kryetarit të partisë në përcaktimin e deputetëve”, tha Balla.

“Listat e mbyllura ishin pengesë për përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në parlament dhe lehtësimin e ndikimit të grupimeve partiake mbi komunitetet kur vjen puna te zgjedhja e individëve”, theksoi Balla.

Balla u shpreh shumë krenar që “edhe në këtë vendim të rëndësishëm Partia Socialiste, si gjithmonë, u vendos në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së plurarizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë, të cilëve me këtë votë ne u japim mundësinë të zgjedhin jo vetëm partinë, por dhe deputetin që duan”.

“Vota është ushtrim i autoritetit të sovranit. Gjatë këtij mandati të Kuvendit, dy vite më parë deputetë të PD dhe LSI tradhëtuan mandatet që u kish dhëne populli, për hir të një maskarade politike të pashoqe në historinë e vendeve demokratike. Këta soj politikanësh që tradhëtojnë zgjedhësit e tyre, nuk mund tu besohet më vota. Prandaj çdo votë për Lulin dhe Ilirin, Saliun dhe Monikën është votë e shkuar dëm”, nënvizoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, është një vit shumë i rëndësishëm për Gramshin, po të kemi parasysh punët e rëndësishme publike që kemi për të vijuar dhe për të përmbyllur në Gramsh. Por po të kemi parasysh në planin e gjerë, atë kombëtar, të një mandati të tretë të PS, i cili jo vetëm do të konsolidojë gjithçka kemi arritur deri tani, por padyshim do të çojë dhe përpara disa reforma të cilat janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund dhe nuk duhet të ndërpriten”, tha Balla.

“Një prej problematikave kryesore që është ngritur gjithmonë në fshat është akciza e naftës, tashmë që këtë e kemi bërë fakt, është përgjegjësia e jonë, padyshim e strukturave shtetërore, e bashkisë së drejtorisë së bujqësisë, që për këtë gjë të shkojmë shtëpi më shtëpi”, tha Balla.

“Unë jam krenar si drejtues politik i qarkut që ne kemi arritur t’i qëndrojmë pothuajse tërësisht të gjitha angazhimeve. Do të kisha dashur që shumë prej këtyre punëve publike, të kishin mbaruar, por koha në dispozicion dhe çfarë ka kaluar Shqipëria në këto 1 vit e gjysëm, përsëri jemi mirë nëse do të bëjmë një analizë. Tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje të rënda për ekonominë, por ne mund të jemi ndër të pakatat vende që buxheti i investimeve nuk u prek aspak nga efektet negative që solli pandemia në të ardhurat e buxhetit të shtetit”, tha Balla.

“Besoj se biem që të gjithë dakord që çuarja përpara e procesit të rindërtimit të shtëpive të dëmtuara ka qenë dhe mbetet një prej sukseseve të pakundërshtueshme të kësaj qeverie”, theksoi Balla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.