Sistemi i ri i fiskalizimit ultra novativ/ Shembuj suksesi nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia

TIRANË, 19 janar/ATSH-Maela Marini/ Sistemi i ri i fiskalizimit nuk bëhet për herë të parë në Shqipëri, por është një sistem ultra novativ i implementuar me shumë sukses në Kroaci, Slloveni dhe pjesërisht në Itali.

Kështu u shpreh sot në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus ekonominë, Kryeministri Edi Rama, ndërsa iu përgjigj pyetjeve lidhur me kostot që ka për biznesin sistemi i ri i fiskalizimit dhe vendeve të cilat e kanë zbatuar këtë sistem.

“Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për një çmim marramendës, si ai që e kanë përcaktuar ata të kalkulatriçes që punon me 7 herë 7 bëjnë 42, por këtë herë 7 herë 7 bëjnë 422, por është më lirë sesa sistemi që kanë”, – tha Rama.

Ai theksoi se “këtu nuk ka asnjë imponim. Kush e ka sistemin sot siç e ka, që ka kasën dhe mirëmbajtjen, thjesht do të bëjë një riintegrim. Kush do ta lërë kasën fillon nga e para dhe bizneset që hapen zgjedhin. Nuk ka as monopol, as arbitraritet”.

Mund të them, vijoi ai, se “ky sistem ka përmbysur komplet botën e administrimit fiskal në Kroaci, si dhe ka përmbysur në mënyrë të konsiderueshme botën e administrimit fiskal në  Slloveni”.

“Së fundmi e ka futur, por jo plotësisht, pjesë-pjesë edhe Italia”. “Është një sistem ultra novativ dhe ne jemi nga të parët që po e fusim, duke parë të tjerët. Kur unë kam parë shifrat e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe kemi bërë analizën e raporteve të tyre për kënaqësinë e shprehur nga biznesi dhe konsumatorët, jam mbresuar dhe ju kam dhënë të drejtë atyre që e propozuan këtë gjë, që ne ta bëjmë si Kroacia”, – tha Rama.

Ai theksoi se “ka nisur puna duke parë Kroacinë, Slloveninë e me radhë. Pra nuk është një sistem që bëhet për herë të parë në Shqipëri, por është një sistem me provë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.