TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj veçoi sot si një nga arritjet më kuptimplota gjatë këtij mandati në krye të kësaj ministrie edhe krijimin e një sistemi funksional meritokratik dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafeve të sistemit të burgjeve.
“Arritëm që procedurat e rekrutimit, jo vetëm që u bënë sipas një konkurimi të hapur dhe meritokratik, por gjithashtu u vlerësua pastërtia e figurës”, tha ajo.
Për herë të parë, tha ministrja, u bë rekrutimi me skantron, ku të gjitha testimet teorike u vlerësuan nga lexues elektronikë të përgjigjeve.
Gjonaj shprehu bindjen se “me këto procedura moderne rekrutimi kemi arritur të afrojmë në radhët e Policisë së Burgjeve më shumë se 826 punonjës të rinj, gjatë këtyre viteve”. /m.m/r.e/