Siguria rrugore/ Hodaj: Ndryshimet në Kodin Rrugor dhanë rezultate, ulje e bilancit të fataliteteve

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj u shpreh se “çfarë është depozituar nga Policia e Shtetit për OFL-në, mund të shqyrtohet nga Prokuroria dhe gjykata sipas procedurave dhe Aktit Normativ”.

Gjatë një interviste televizive Hodaj theksoi se, “nëse nuk do të kemi aktivitete të policisë në verifikimet dhe referimet, do të kemi një aktivitet të Prokurorisë dhe Gjykatës për shqyrtimin e çështjeve”.

“Akti Normatibvmundëson që prokuroria ta bëjë këtë punë edhe sot. Ndërkohë që ky Akt Normativ do të miratohet edhe nga parlamenti”- tha ai.

Për rritjen e sigurisë rrugore, Hodaj tha se “kemi kërkuar ndryshime të reja në Kodin Rrugor dhe besoj që do ta diskutojmë në Parlament shumë shpejt dhe Këshilli i Ministrave i ka dhënë dritën jeshile per disa ndryshime të reja, që saksionojnë dhe ashpërsojnë masat për disa fenomene që për ne janë shqetësuese siç është përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjetit, etj”.

“Ndryshimet që janë bërë në Kodin Rrugor dhanë rezultate. Konkretisht tha ai, vetëm ndryshimi i masës së gjobës për vendosjen e rripit të sigurimit,  ka shpëtuar jetë në këto 5 -6 vitet e fundit”.

“Bilanci i aksidenteve rrugore edhe me një person është bilanc i rëndë, por mos të harrojmë ku kemi qenë dhe ku jemi. Në vitet 2009, 2010, 2011 kemi gati 380 të vdekur për çdo vit në rrugë, ndërsa në tre vitet e fundit numri është ulur në 200-220. Pra kemi një ulje të konsiderueshme”- tha Hodaj.

Në lidhje me hetimin mbi ngjarjen e zhdukjes së italianit Davide Peccoreli në datën 6 janar 2021, në zonën e Pukës, në veri të vendit, Hodaj tha se, “policia ka dhënë njoftimin paraprak që në ditën e parë të ngjarjes dhe ka raportuar të dhënat e disponueshme për këtë çështje”.

Ndërsa, drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj theksoj se hetimet po drejtohen nga Prokuroria dhe ekspertët do të marrin kohën e dukur për të zbardhur ngjarjen, ndërkohë që ka nisur edhe një hetim i përbashkët me autoritetet italiane”. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.