UASHINGTON, 19 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti i ardhshëm amerikan, Joe Biden duhet të anulojë menjëherë marrëveshjet migratore mbi kërkesat e azilit, të arritura nga parardhësi i tij, Donald Trump me vendet e Amerikës Qendrore, thekson një raport i publikuar nga senatorët demokratë.
Këto marrëveshje u nënshkruan në 2019 me Salvadorin, Guatemalan dhe Hondurasin dhe janë pjesë e politikës së presidentit në largim për të frenuar imigracionin e paligjshëm.
Ato parashikojnë që migrantët që bëjnë një kërkesë për azil pas mbërritjes në SHBA do të kthehen në këto vende të Amerikës Qendrore për të pritur një përgjigje.
Administrata Trump i sheh ACA (Marrëveshjet e Bashkëpunimit të Azilit) si një model që duhet përdorur me vendet e tjera në botë. Kjo është pikërisht e kundërta e asaj që duhet të ndodhë”, thekson raporti i hartuar nga presidenti i caktuar i komisionit senatorial të Punëve të Jashtme, Bob Menendez.
“Kongresi dhe qeveria duhet të rinovojnë angazhimin tonë për mbrojtjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve në epokën pas Trump”, theksoi Menendez, duke i cilësuar shkatërruese dhe të turpshme marrëveshjet migratore të administratës Trump.
Sipas raportit, që nga implementimi i marrëveshjes së parë të tillë mbi një vit më parë, asnjë prej 945 azilkërkuesve të transferuar nga SHBA-ja në Guatemalë nuk u është dhënë azili.