Rezultatet e censusit të shpendëve të ujit për qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër

TIRANË, 19 janar/ATSH/  Në datat 15 dhe 16 janar, nëpërmjet bashkëpunimit midis Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), qendrës “Shpendët e Shqipërisë”, Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, INCA, si dhe Adiministratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër, u realizua me sukses Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit 2021, në qarqet Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër.
Skema e monitorimit përfshiu një larmishmëri ligatinash, të shpërndara sipas numrave: Qarku i Vlorës → 4 ligatina: Peizazhi i Mbrojtur Vjosë – Nartë, Laguna e Orikumit, Parku Kombëtar i Butrintit dhe Monumenti Natyror Syri i Kaltër; Qarku i Gjirokastrës → 1 ligatinë: Rezervuari i Bulos dhe Qarku i Dibrës 1 ligatinë, Liqeni i Ulzës.
Sipas rezultateve përfundimtare nga monitorimi në ligatinat e sipërpërmendura në Vjosë – Nartë, këtë vit u dëshmua një rënie në numrin e shpendëve krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, shifra aktuale është më e lartë se mesatarja e 6 viteve të fundit.
Fatkeqësisht, në Lagunën e Orikumit dhe në Parkun Kombëtar të Butrintit, këtë vit u regjistruan shifrat më të ulëta të 6 viteve të fundit.
Ndërkohë që në Syrin e Kaltër shifrat janë pothuajse të njëjta, në Rezervuarin e Bulos dëshmuam një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas PPNEA, arsyeja e këtyre rezultateve mund të justifikohet me kushtet e ngrohta klimatike që kanë karakterizuar muajin janar deri në ditët e realizimit të censusit. Prandaj, është krejtësisht normale që numri i shpendëve që shtegtojnë drejt jugut të jetë më i ulët.
Censusi i këtij viti solli disa surpriza tepër interesante, sikundër është rasti i vrojtimit të çafkës së purpurt (Ardea purpurea) në Lagunën e Orikumit, që ndoshta përfaqëson vrojtimin e parë të këtij lloji gjatë dimrit në Shqipëri.
Më tej, u vrojtua sërish, pas shumë vitesh, prania e pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në Parkun Kombëtar të Butrintit, si dhe u gjet një fole e re e lejlekut (Ciconia ciconia) po në këtë zonë.
PPNEA falënderon të gjithë kolegët dhe vullnetarët që gjatë ditëve të censusit punuan aktivisht për të mundësuar zhvillimin e këtij aktiviteti madhor shpendkundrimi./k.s/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.