“OFL, rezultat spektakolar”/ Çuçi: Mandati për Prokurorinë dhe Gjykatën do vazhdojë deri sa të mbyllet edhe dosja e fundit

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, theksoi sot se “misioni i Operacionit Forca e Ligjit sapo është hapur. Ka pasur një rezultat spektakolar, pavarësisht se mbaroi sa i përket punës që duhet të bëjë policia në këtë proces për pjesën e aksionit të OFL. Ne i kemi lënë hapësirë SPAK-ut dhe Gjyaktës së Posaçme që të vazhdojë hetimet dhe gjykimet për të gjithë dosjet që ka hapur policia me aksionin 1-vjeçar të OFL në vitin e kaluar”.

Në një intervistë televizive, ministri Çuçi tha se “dosjet e nisura do të përfundojnë”.

“Akti Normativ që miratuam në fund të vitit 2020 dhe pritet të konfirmohet në Kuvend pikërisht këtë gjë bën, që i ka mbaruar mandati i policisë, por mandati për Prokurorinë dhe Gjykatën për të vazhduar hetimet do vazhdojë deri sa të mbyllet edhe dosja e fundit që është çuar për hetim”.

Duke folur për rolin e policisë në zgjedhje, Çuçi tha se “me konsensus publik të gjerë u vendos një formulë që policia të mos përfshihet ditën e votimit dhe të mos rrijë pranë qendrave të votimit. Ky është një model pozitiv dhe policia ka marrë nota  të mira edhe nga raportet e OSBE-ODIHR, në të gjitha vëzhgimet që ajo ka bërë për zgjedhjet që prej ditës që është vendosur policia të mos ndërhyjë”.

“Edhe në zgjedhjet e 25 prillit nuk do të ketë ndërhyrje dhe pak a shumë do të ruajmë këtë trend, do angazhohem maksimalisht që emrin e mirë të policisë në ditën e zgjedhjeve që ka bërë deri tani ta ruajmë dhe të mos e njollosim nga çdo tentativë që mund të bëjë politika, qoftë  edhe grupet e caktuara kriminale që mund të përdoren nga politika”, – theksoi Çuçi.

I pyetur për Vetingun në polici, ministri Çuçi tha se “policia është një strukturë piramidale , vertikale me sistem komandimi, e cila i ka të gjithë mekanizmat për t’u kontrolluar, për të bërë veting, në mënyrë permanente, i ka pasur, i ka dhe do t’i ketë gjithmonë”.

“SHÇBA po kthehet në një agjenci dhe po e shkëpusim nga një veshje policore duke bërë një shërbim thuajse civil.  Drejtuesit e lartë të policisë deklarojnë pasuritë e tyre në ILDKP, marrin certifikata sigurie në Drejtorinë eë Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Si ministër kam kërkuar një informacion në lidhje me ecurinë e Vetingut në polici, sepse kam një informacion që nuk po ecën siç duhet, nuk ka shpejtësinë e duhur, po zvarriten dosjet dhe kjo krijon një stres në organin e policisë”, – nënvizoi Çuçi.

Ministri Çuçi tha se “ia kam kërkuar këtë informacion Komisionit Parlamentar për Sigurinë dhe sot kam pasur një takim me kryetaren e këtij komisioni dhe do të shikojmë mënyrën më të mirë ligjore për ta sjellë në ekulibër këtë proces që është shumë i rëndësishëm”.

Lidhur me kartat e identitetit ministri Çuçi tha se “deri tani e deri në ditën e  votimit janë rreth 700 e ca mijë shtetas shqiptarë të cilëve u skadon karta e identitetit. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që të gjithë të pajisen me karta identiteti. Kam bërë thirrje publike disa herë që të gjithë qytetarët të bëjnë kartat. Do të fus edhe partitë politike në këtë proces, në mënyrë që edhe ato të nxisin anëtarësinë e tyre të pajisen me karta identiteti. Po mendojmë që në publikimin e radhës  të listave të votuesve të markojmë ata votues që u skadon karta në 25 prill”.

“Ne kemi një strategji për krimin e organizuar dhe do vazhdojmë se bashku me partnerët me të cilët kemi një bashkëpunim të ngushtë. Një grup i organizuar në Berat me 20 veta u arrestua para pak ditësh, ku ishin të përfshirë edhe punonjës policie, të administratës vendore, njerëz që kultizojnë dhe trafikantë”, u shpreh Çuçi

/k.s/j.p/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.