Nis FSHF Cup, Libohova: Sektori amator, jetik për masivizimin e futbollit

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Mbrëmjen e djeshme ka filluar FSHF Cup, kompeticioni më i ri që organizon sektori i futbollit amator në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Ky kompeticion për skuadrat që garojnë me nga 9 lojtarë, përmbledh 32 skuadra të cilat do të përballen ndërmjet tyre me sistem eliminimi direkt, bëri të ditur FSHF.

Në ceremoninë hapëse të kësaj Kupe që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka qenë i pranishëm edhe zëvendëspresidenti i FSHF, Edvin Libohova, i cili theksoi rëndësinë e vëmendjen që institucioni i futbollit në Shqipëri i jep sektorit amator, i cili ka një rol jetik për masivizimin e sportit më të dashur për shqiptarët.

“Sot fillon një tjetër veprimtari e futbollit amator, FSHF Cup, një kompeticion që luan 9 kundër 9. Ky kompeticion zhvillohet për herë të parë nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në të marrin pjesë 32 skuadra, kryesisht nga Tirana por dhe nga qytete të tjera. Kjo kupë vjen si vazhdimësi e nismave të Federatës për të mbështetur futbollin amator, duke parë që tani ka filluar kampionati 5×5. Po zhvillohen me sukses kampionatet e moshave, kampionatet e femrave dhe ky është aktiviteti më i ri që i shtohet gjithë kurorës së veprimtarive të FSHF-së, në kuadër të masivizimit të futbollit me qëllim përfshirjen sa më shumë të brezit të ri por pa përjashtuar këtu edhe ato më në moshë. Kjo garë do të shtrihet në dy muaj”, tha ai.

“Duhet të theksoj se kërkesat kanë qenë të shumta por mundësinë kanë qenë për 32 skuadra. Duke parë interesimin sigurisht që do të ketë edhe aktivitete të tjera të këtij lloji. I uroj suksese kompeticionit dhe skuadrave që janë sot këtu, le të fitojë më i miri dhe le të jetë ky sinjali i parë i veprimtarive të tjera që i shtohen futbollit amator”, u shpreh Libohova.

Jurgen Demneri, specialisti i projektit të futbollit 9×9 në FSHF, ka shpjeguar nevojën për një Kupë të tillë, pas kampionatit Sunday League që zhvillohet prej dy vitesh dhe tashmë nën kujdesin e Federatës.

“Dua të falenderoj zv.presidentin Libohova për praninë e tij në ditën e parë të FSHF Cup. Ky kompeticion nisi si një risi për kampionatin e futbollit 9×9. Pas fillimit të edicionit të dytë të Sunday League Albania pamë se ishte e nevojshme të organizohej një kupë për të gjitha ekipet pjesëmarrëse. I uroj shumë suksese të gjithë skuadrave pjesëmarrëse”, tha ai./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.