Kryemadhi në Fier: Punësimi i grave, një nga problemet kryesore

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në takimin me gratë në Fier tha se, “kam besim të patundur që gruaja është elementi më zhvillues në shoqërinë e një vendi”.

“Sigurisht që ne duam të krijojmë hapësira pafundësisht për gratë, jo vetëm në politikë, por edhe në vendimmarrjet sa i përket arsimit, shkencës. Unë kam shumë mikesha që kanë studiuar dhe janë diplomuar në shkencat ekzakte dhe janë sot në institucione shumë të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Por nga ana tjetër mundësia e zhvillimit të hapësirave për lëndët ekzakte sot në sistemin arsimor është bërë shumë e vështirë”, – nënvizoi Kryemadhi.

Kryemadhi tha se “mendoj se shumë e rëndësishme është krijimi i mundësive për punësimin e grave, sepse duke qenë gratë të pavarura ekonomikisht, jo vetëm që krijojnë vendimmarrjen e tyre, por janë edhe shumë më aktive në jetën politike të vendit”.

Duk folur për problemet që kanë gratë dhe vajzat e Fierit, Kryemadhi u shpreh se “një nga problemet kryesore është çështja e punësimit të grave, çështja e fuqizimit ekonomik të tyre, pavarësia ekonomike, sepse të gjitha janë mundësi që krijojnë hapësira më shumë për t’u përfshirë gruaja”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.