Kim takim me Vitore Tushën: Ka përgjegjësinë të drejtojë Gjykatën Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi sot një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Pas takimit, ambasadorja amerikane thekson se Tusha ka përgjegjësinë të drejtojë Gjykatën Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme.

Kim nënvizon se SHBA do vazhdojë mbështetjen e saj në mënyrë që Reforma në Drejtësi të japë rezultate.

“Unë u takova me gjyqtaren Tusha për ta falënderuar për udhëheqjen e matur e të qëndrueshme të KED, që mundësoi funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Tusha ka përgjegjësinë të drejtojë Gjykatën Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme. SHBA-ja do të vazhdojë me mbështetjen e saj në mënyrë që Reforma në Drejtësi të japë rezultate”, deklaroi ambasadorja Kim.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e parë të zhvilluar më 7 janar, pas konstituimit, vendosi që të autorizojë Vitore Tushën, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, për të vazhduar ushtrimin e kompetencave të Kryetarit deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u vendos  të caktohet kalendari i çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në Mbledhjen e Gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.