FOTO/ Homazhe për akademikun Petraq Petro/ Gjinushi: Përfaqësues i dijes shqiptare edhe në forume e kongrese ndërkombëtare shkencore

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Studiuesi i shkencave matematike Petraq Petro, anëtar i Akademisë së Shkencave që nga viti 2008, profesor i njohur, matematikan, u nda dje nga jeta në mënyrë të papritur e të parakohshme.

Në ambientet e Akademisë së Shkencave, u zhvilluan sot homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademikut Petro.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u shpreh se “nuk gjej dot fjalët e ngushëllimit për të gjithë sa jemi këtu, për bashkësinë e gjerë të studiuesve të shkencave në tërësi e atyre matematike në veçanti, mësues e profesorë të të gjitha niveleve, në të katër anët e Shqipërisë, formuar nën kujdesin, dijet e inteligjencën e rrallë të Petraq Petros, që u nda nesh pa na thënë lamtumirë”.

“Petraq Petro, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhemi, ka sot përreth vetëm një familje të ngushtë njerëzish me të cilët ndau dhe bashkoi sfidat, gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Por ai do të kujtohet e përkujtohet me nderim të lartë prej dhjetëra brezash që formoi, që nga viti 1965 e pa ndërprerë, për më shumë se një gjysmë shekulli. Petraq Petro ishte një mendje aktive, krijuese dhe rikrijuese. Zgjedhja e tij në jetë ishte një zgjedhje sfide. Ai iu kushtua një fushe diturie që pak kush guxon ta ndërmarrë. Por Petraqi ynë dëshmoi se kishte talentin e kurajon për risi e krijim edhe në shkencat ekzakte, si matematika e veçanërisht në disiplinën e tij të zemrës, algjebrën”, u shpreh Gjinushi.

Petraq Petro punoi për të mirën e formimit të brezave të rinj për një gjysmë shekulli, theksoi ai, duke i qëndruar besnik zgjedhjes së tij të jetës, të cilën, bashkë me studiues të tjerë të së njëjtës fushë, përkrah themeluesve të saj prof. Pilika, Minga, Bazhaku, Kraja, Turdiu, e kthyen matematikën në lëndë bazë shkollore e universitare, të sinkronizuar kohë pas kohe me zhvillimet e saj në botë.

“Petraqi i takon brezit të matematikanëve, një brezi nga më të talentuarit që së bashku me prof. Karçanajin, Berdullën, Fundon etj., iu desh të mbanin barrën më të vështirë, atë për të transmetuar e çuar përpara traditën e profesorëve themeltar në kohën e mbylljes së madhe. Siç preferonte ta cilësonte vetë Petraqi: ai renditej ndër ata matematikanë, që lëvruan shkencën e vështirë të matematikës në “bunker” kur ishin mbyllur rrugët e lindjes e s’qenë hapur ende ato të perëndimit. I formuar në Universitetin e Tiranës, Petraq Petro ishte gjithashtu një mendje konkurrente brenda dhe jashtë vendit. Logjika e fortë dhe intuita e fuqishme realizuan tek ai një personalitet të fortë, që pati rritje në të gjitha kohërat”, u shpreh më tej Gjinushi.

Ai vuri në dukje se “dy dekada zgjati mbrojtja dhe fitimi i të gjitha gradave dhe titujve shkencorë e pedagogjikë prej tij, që nga statusi i asistentit në katedrën e matematikës deri tek titulli profesor”.

“Nuk u ngut asnjëherë të fitonte diçka të pamerituar e me të shpejtë, sepse kishte besim tek zotësitë e veta. Nuk ka këshill, komitet, bord, senat, asamble shkencore të vendit tonë që Petraq Petro të mos ketë qenë përfaqësues i bashkësisë ku punoi, që nga niveli i fakultetit, deri tek komiteti i shkencës dhe teknikës, komisioni i lartë i atestimit, këshilli i lartë i arsimit dhe shkencës. Ai u bë përfaqësues i dijes shqiptare edhe në forume dhe kongrese ndërkombëtare shkencore”, vlerësoi Gjinushi.

Akademiku Petraq Petro do të mbahet mend për kontributet e tij shkencore të vlerësuara brenda dhe jashtë vendit në fushën e matematikës së specialitetit dhe të algjebrës, si autor tekstesh shkollore dhe universitare (jo pak por rreth 25 tituj të botuar dhe ribotuar duke nisur që nga viti 1970); si studiues kreativ i fushës që iu kushtua (mbi 25 artikuj shkencorë të botuar pjesa më e madhe jashtë vendit në revista të profilizuara me faktor impakti dhe me pranim me konkurrencë); si titullar lëndësh dhe drejtues i programeve dhe tezave doktorale; si përfaqësues i njohësve të matematikës dhe algjebrës në institucionet më të rëndësishme të punës dhe kërkimit shkencor, që nga katedra deri tek këshillat dhe komitetet shkencore kombëtare dhe këshillat botues të revistave të profilizuara brenda dhe jashtë vendit.

Në vitet e fundme, ai kryesoi me një energji komisionin e përhershëm të matematikës që funksionon pranë Akademisë së Shkencave.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.