Fiskalizimi nuk shton koston e biznesit

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Nisja e zbatimit të reformës së Fiskalizimit nuk do të shtojë koston e biznesit.

Për këtë siguruan Kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj gjatë konferencë së përjavshme për shtyp me fokus ekonominë.

“Kemi integruar sistemin e ri në sistemin aktual, pra biznesi nuk ka nevojë të marrë e të flakë sistemin e vjetër e të blejë sistem të ri nga e para, por do të adoptojë sistemin që ka me sistemin e ri”, deklaroi Kryeministri Rama.

Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj tha se që në fillim të nisjes së procesit të fiskalizimit kemi garantuar biznesin që nuk do të shtojmë kostot më shumë sesa ato që janë.

“Sot ne kemi më shumë se 20 kompani të certifikuara që ofrojnë shërbimin e fiskalizimit, të cilat kanë dalë në treg me çmimet e tyre”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj garantoi se sot një biznes i vogël që hapet në Shqipëri ka një kosto mesatare prej 383 euro për instalimin e kasës dhe 8.5 euro në muaj për mirëmbajtjen e kasës apo rikolaudimit.

“I gjithë biznesi i vogël nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave mund të përdorë platformën e fiskalizimit, pra nuk do të ketë nevojë aspak të blejë një software apo të bëjë një investim nga e para. Pra biznesi i vogël i cili ka sot një kasë fiskale mund vazhdojë të mbajë kasat e tyre nëpërmjet marrëdhënies me kompaninë ku kanë marrë kasën, të cilat po certifikohen për të ofruar procesin e fiskalizimit, të tjerat mund të përdorin platformën e Fiskalizimit”, tha Ibrahimaj.

I vetmi investim që duhet të kryejë biznesi i vogël, theksoi ajo, është lidhja me internet, e cila nuk kushton më tepër se 7 euro në muaj dhe duhet të kenë një telefon, tablet apo kompjuter.

“Kosto llogaritet 132 euro si kosto fillestare dhe 7 euro në vit si kosto mirëmbajtjeje”, tha Ibrahimaj.

Ky biznes, shtoi Ibrahimaj, nuk ka nevojë as të marrë certifikatë elektronike, pasi kjo është e mbështetur nga vendimi i qeverisë për përdorimin e portalit Selfcare.

Sa i përket biznesit të madh, drejtoresha e Tatimeve, informoi se ai ka një shumëllojshmëri zgjedhjeje.

“Ai nuk është më i detyruar të mbajë edhe një program kontabiliteti, të mbajë edhe kasën për përmbushjen e detyrimeve tatimore. Por nëpërmjet një zhvillimi të programit të tij të kontabilitetit me sistemin e Fiskalizimit ai mund të fiskalizohet. Ky zhvillim mund të kushtojë 100 euro në vit, ashtu si edhe zero në vit, pasi tregu është liberalizuar dhe të gjitha kompanitë që ofrojnë shërbim kontabiliteti mund të ofrojnë edhe shërbimin e shkëmbimit të informacionit me administratën tatimore”, deklaroi Ibrahimaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.