“E nisëm nga një kënetë”/ Denaj: Synohet që të ardhurat në buxhet të shkojnë në 31% të PBB-së, nga 24.23% në 2013-ën

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit në fund të vitit 2019 llogariten 27.38 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 24.23 % që ishin në fund të vitit 2013.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se “e nisëm nga të ardhura shumë të ulëta në raport me PBB-në, por falë reformave të ndërmarra arritëm në 27.38 % të ardhurat mbi PBB”.

“Sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm për të projektuar të ardhmen, por duhet të shohim dhe nga e shkuara, se nga vijmë. Jemi në momentin e një procesi rindërtimi do të thoja. Rindërtimi të një sistemi të rëndësishëm, i cili do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, ato të ardhura që prodhon ekonomia shqiptare që shpesh në të gjitha debatet tona televizive apo më gjerë i kemi artikuluar me terminologji të ndryshme në aspekt edhe të informalitetit, por përpjekja për të luftuar informalitetitn nuk ka nisur sot, ka nisur me vite. Ne nisëm nga një e ardhur shumë e ulët me 24.23 % mbi PBB dhe për të parafrazuar sistemin e rindërtimit në të cilin jemi do të thosha se ne nisëm nga një kënetë”, tha ajo.

Nisëm nga një sistem, theksoi Denaj, ku akoma nuk kishte karabina dhe në vitin 2019 rritëm në 27.38 % të ardhurat mbi PBB. “Ndërtuam karabinanë. Sigurisht, kjo përfaqëson gjysmën e rrugës dhe kjo karabina duhet ndërtuar me të gjithë elementët funksional”, deklaroi ministrja gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama me fokus ekonominë.

Sipas ministres Denaj, përmes përmirësimit të administrimit fiskal, por edhe përmes politikave fiskale, synohet rritja e të ardhurave në PBB në 31 % për të arritur atë mesatare që sot ka rajoni. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.