“Bizneset e vogla sot, shumë më të lehtësuara nga barra fiskale se 7 vite më parë”/ Hapësirë më e madhe frymëmarrje për biznesin e madh

TIRANË, 19 janar/ATSH-Maela Marini/ Bizneset sot janë shumë më të lehtësuara nga barra fiskale se 7 vite më parë, ndërkohë që në mandatin e tretë nuk ka më as rritje dhe as ulje taksash si për biznesin e vogël, edhe për atë të madh.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus tek ekonomia.

Ai theksoi se “biznesi i vogël ka 0 taksë dhe 0 TVSH, ndaj nuk ka se si të mos ndjehet i lehtësuar deri në fund nga barra më e madhe fiskale mbi ta”.

“Ne e kemi bërë shumë të qartë që ditën e parë, kush fiton më pak paguan më pak. Kjo do të thotë që nga pjesa më e goditur e atyre që vetëpunësohen dhe krijojnë punë për të tjerët, biznesi i vogël sot është pjesa më e privilegjuar në raport me trajtimin që i bën sistemi ynë fiskal. 0 taksë për tatimfitimin, 0 taksë për TVSH-në deri në xhiro 140 mijë dollarë”, tha Rama, duke shtuar se pjesa tjetër e ka pasur 15 %.

Rama theksoi se “në mandatin e tretë nuk ka më as rritje dhe as ulje, sepse nuk kemi më çfarë t’i ulim nën zero biznesit të vogël”.

Nga ana tjetër, kryeministri siguroi se “për biznesin e madh do të vazhdojmë të jemi në të njëjtin pozicion dhe do të vazhdojmë t’i garantojmë hapësirë më të madhe frymëmarrje në raport me administratën duke e kthyer online”.

“Sot inspektorët e tatimeve nuk shkojnë dot ku të duan sepse janë të gjithë të pajisur me GPS. Ata që janë në terren ndiqen online nga qendra për çdo qëndrim më gjatë në një vend duhet të japim llogari apo për çdo devijim drejt një kafeneje duhet të japin llogari dhe të marrin ndëshkimin që meritojnë sipas rregullave. Kanë kamera trupi dhe marrëdhëniet e tyre me biznesin janë transparente për të gjitha ato raste ku biznesi nuk del nga ana mbrapa për ndonjë pazar”, – tha Rama.

Ndërkohë ai ftoi qytetarët që “të denoncojnë çdo rast të tillë, njëlloj siç bëri ajo qytetarja që e çoi prapa hekurave atë personazhin e pështirë të spitalit. Vetëm kështu ne mund të ecim shumë më shpejt me pastrimin e këtyre çibanëve. Kur gjithë sistemi të jetë i ngritur nuk do të ketë më nevojë për kamera të fshehta”.

Ai nënvizoi rëndësinë e modernizimit epokal të sistemit dhe të gjitha marrëdhënieve ekonomike në Republikën e Shqipërisë, ku do të përfshihen të gjithë individët që bëjnë transaksione parash si konsumator, sipërmarrës apo monitorues në marrëdhëniet me shtetin. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.